Dragan Tasiq Deni – Shkup

HOB Serbian office Macedonia (FYROM) 15/03/2018

Unë kam lindur në Vranjë dhe deri në moshën 10-vjeçare kam jetuar në Kosovë. Pastaj, nga klasa e 4-të deri në klasën e 8-të kam jetuar në Beograd, deri kur u regjistrova në gjimnaz në Maqedoni dhe më pas dhe në drejtësi.
Mund të mburrem që kam udhëtuar shumë. Sidomos për shkak se pikturoj, kështu që çdo qytet zgjon një frymëzim të ndryshëm. Një periudhë kam kaluar në Francë, ku më kanë dhënë edhe nofkën Deni sepse emri Dragan ishte i vështirë për ta. Kam udhëtuar nëpër Ballkan, kam vizituar Dubrovnikun dhe Splitin, ku kam njohur një nga dashuritë e mia të mëdha. Por Zlatiborin dhe Herceg Novin do t’i kem gjithmonë përzemër, sidomos për shkak se në Herceg Novi kalova gjysmën e jetës sime dhe fëmijët e mi janë pothuajse rritur atje.
Në Maqedoni, pas studimeve të drejtësisë, punova në gjykatë. Kështu u njoha me një maqedonase me të cilën jam bashkuar për 30 vjet dhe me të cilën kam tre fëmijë të bukur. Ishte tetor, largohesha nga gjykata pas një dite të ngarkuar, dhe po binte shi. Para gjykatës rrinte një grua e re me një ombrellë të cilës i thashë:
Lum ai që ka një ombrellë. Kështu filloi historia jonë, megjithëse ajo ishte 19 vjeçare dhe unë isha 15 vjet më i madh se ajo.
Miqtë, fëmijët dhe të hollat nuk janë kurrë të mjaftueshme! Unë i ndaj njerëzve vetëm në të mirët dhe të këqij. Gjimnazi ynë ka qenë Jugosllavia e vogël. Atje fitova miqësitë për tërë jetën – dhe me serbë, boshnjakë, kroatë… Edhe sot e kësaj dite takohemi në përvjetorin e diplomimit dhe bisedojmë sikurse kurrë nuk u ndamë.